27 Dhjetor, 2024

Adelina Balashi: Si e shkrova “Pallatin 176” dhe pse ika në Greqi

 Adelina Balashi: Si e shkrova “Pallatin 176” dhe pse ika në Greqi

Flet Adelina Balashi, autorja e komedisë “Pallati 176”

Le të kthehemi te komedia “Pallati 176”, ku Trebicka shkëlqeu. Si ju lindi frymëzimi për ta shkruar atë?

Gjatë asaj periudhe unë isha në një kurs specializimi për regjisorë dhe skenaristë, ku midis 20 pjesëmarrësve isha e vetmja femër. Sepse unë, në atë kohë ndodhesha në Librazhd. Dhe si mbrojtje diplome të këtij kursi special, unë shkrova komedinë “Pallati 176”. Pastaj e konsultova atë, me dramaturgun e madh Teodor Laço, ku ndihma e tij, ka qenë e pakursyer për të gjithë ne, pjesëmarrësit e atij specializimi. Natyrisht, në Librazhd duhet të përmend edhe ndihmën e vazhdueshme të poetit Koçi Petriti, i cili i ndihmonte të gjithë talentet e rinj.

Pra, jemi tek komedia, ku e çuat atë, pasi e mbaruat?

Pasi e mbarova e çova në Teatrin Kombëtar, ku ia dorëzova zotit, Ruzhdi Pulaha, i cili njihet edhe si mjeshtri i dramaturgjisë. Pas disa javësh, ai më thirri në një takim dhe më tha, se pas konsultimeve të ndryshme komedia ishte miratuar. Por edhe me rekomandimin e tij, gjithçka shkoi në rrugë të mbarë. Pra, kjo komedi, i pati dyert të hapura, gjë e cila ndodhi për shkak të cilësisë së lartë që reflektonte.

Çfarë ndodhi më vonë?

Më vonë atë e morën në dorë dy regjisorë të talentuar Alfred Bualjoti  dhe Andon Qesari. Këta regjisorë zgjodhën një staf të shkëlqyer aktorësh dhe komedia gjeti kështu një ansambël të paparë artistësh, ku qershia mbi tortë padyshim ishte Roland Trebicka…

Gjatë kësaj periudhe a takoheshit me Roland Trebickën?

Padyshim që po. Takohesha me Rolandin dhe me të gjithë stafin e aktorëve e sidomos me dy regjisorët e mëdhenj, që prodhuan një sukses të paparë. Unë kam qenë e pranishme në provat e kësaj komedie, qysh në 20 ditët e para të punës në tavolinë. Kam bashkëpunuar si kolege me të gjithë stafin

Çfarë ju thoshte Rolandi, gjatë atyre ditëve të provave?

Rolandi ishte shumë optimist se gjithçka do të shkonte mirë. Ai bënte edhe humor dhe vazhdimisht na bënte për të qeshur. Sepse ai ishte një njeri i qeshur dhe i gëzuar, prandaj donte t’i shihte edhe të tjerët ashtu. Prandaj, edhe kur pinim kafe, ai bënte vazhdimisht humor dhe na e ndryshonte gjendjen shpirtërore brenda pak minutave.

Si u prit komedia “Pallati 176”, në atë kohë?

Asnjë komedi tjetër nuk pati aq shumë jetëgjatësi në shfaqjet e teatrit, sa “Pallati 176”. Dhe ky sukses njohu një kreshendo të përnatshme, ku çdo herë e më shumë kompleksi artistik vinte duke përsosur të gjitha elementët artistikë dhe disiplinën totale të organizimit.

Ju vetë si autore e komedisë çfarë menduat në mes të këtij suksesi?

Unë isha shumë e gëzuar për rezultatin që korri “Pallati 176”. Dhe kjo ishte një ndjesi e natyrshme. Sepse kjo ishte komedia e parë zyrtare që kisha shkruar në jetë, pas disa provave të mëparshme të procesit letrar të çdo dramaturgu.

Çfarë ndodhi me ju, pas suksesit të kësaj komedie?

Mua më emëruan në Kinostudio si skenariste e filmit, ku realizova disa skenarë filmash dhe ku redaktova disa të tjerë, në bazë të procedurave që kishte në atë kohë redaksia e skenarëve të Kinostudios. Pastaj, ndodhën shumë probleme të tjera dhe unë u largova jashtë shtetit, pra, në Greqi.

Përse u larguat në Greqi, kur ju ishit në kulmin e krijimtarisë tuaj, apo të sukseseve tuaja letrare?

Unë shkova në Greqi pikërisht, për të njohur teatrin grek. Por Teatrin Kombëtar grek, që ka një tradicion të shkëlqyer. Atë ditë që u nisa nga Tirana për në Athinë ëndërroja që pasi të njihja teatrin grek, në detajet më të hollësishme, unë do të kthehesha në Tiranë, për të bërë një teatër bashkëkohor. Pra, unë ika andej me misionin tim personal, të cilin nuk ia kisha thënë askujt tjetër, përveç familjarëve dhe të afërmve, që të mësoja ligjet dhe stilin e teatrit grek e atij evropian. Në mënyrë që kur të kthehesha përsëri në vendin tim të isha më e perfeksionuar dhe më e gatshme për t’i shërbyer artit bashkëkohor.

A e njohët gjatë këtyre 19 vjetëve aq sa duhet teatrin grek?

Po, e kam njohur, aq sa duhet megjithëse përsosmëria e njohjes është një proces në vazhdim për këdo. Sepse arti është i pafund dhe arti teatror ka plot fshehtësira, të cilat perfeksionohen vetëm nëpërmjet eksperiencës dhe punës.

A provuat ndonjë bashkëpunim me teatrin grek, gjatë kësaj kohe?

Kam bërë disa përpjekje për bashkëpunime, por natyrisht, kjo është temë e një bisede tjetër, të cilën duhet ta ndërpresim këtu, për ta vazhduar një ditë tjetër. Sepse sot mua ende nuk më janë tharë lotët e humbjes së mikut dhe artistit të madh shqiptar, Roland Trebickës. Dhe dëshiroj të flas vetëm për të. Sepse Roland Trebicka në këtë moment stresesh të vështira, i duhej Shqipërisë. Që t’i rikthente buzëqeshjen dhe që t’i bënte njerëzit të harronin për disa çaste vuajtjet e tyre të përditshme. Unë nuk dua të bëj asnjë fije politikë në intervistën time, por dua të nënvizoj, se kriza e madhe ekonomike që ka goditur shumë vende të botës, u ka ngrirë buzëqeshjen miliona njerëzve në botë. Ndërsa Roland Trebicka, me talentin e tij, me klasin e tij, me madhështinë e tij, i bënte ata për të qeshur, pra i furnizonte me kurajo dhe besim për jetën. I bënte njerëzit të besonin tek e ardhmja dhe të luftonin për të transformuar jetën e tyre.

Ndërsa tani, ai nuk është më dhe neve, qysh tani na ka marrë malli për të folurën e tij, për të qeshurën e tij, për kalibrin e mendimeve të tij. Prandaj, them, se ne kemi humbur një pjesë të madhe të shansit për ardhmërinë e kulturës sonë. Ne kemi humbur artistin, mikun dhe vëllanë tonë. Sepse ai prej shumë kohësh ishte i pranishëm, thuajse në të gjitha familjet shqiptare. Dhe kjo humbje, do të ndikojë tek mungesa e entuziazmit të së nesërmes, tek njerëzit. Sepse ata nuk ka se kush t’i bëjë më për të qeshur, ngaqë Roland Trebicka u largua prej nesh, duke na lënë pikëllimin e ikjes së tij, por edhe krenarinë e madhështisë së tij. Dhe nesër, kur gjërat të qetësohen e të vihen në vendin e vet, Roland Trebicka do të qëndrojë në altarin e nderit dhe lavdisë së artit të madh shqiptar. Ai do të konsiderohet si një pikë kulmore në lartësinë e këtij arti, duke e kujtuar sidomos për komeditë e mëdha botërore dhe shqiptare që ka luajtur.

Kush është Adelina Balashi

Adelina Balashi është shkrimtare dhe skenariste shqiptare. Veprimtaria letrare e saj shtrihet në shumë pak vite, ku ndryshe nga të tjerët ajo shkëlqeu qysh në komedinë e saj të parë, që titullohet “Pallati 176”, pikërisht, në vitin 1986. Por këtu, duhet thënë se, në vitin 1983 ajo botoi vëllimin me poezitë e saj më të mira për atë kohë. Më pas ajo punoi në Kinostudio si skenariste filmash dhe realizoi disa skenarë si “Djali elastik”, më vitin 1989 dhe “Prindër të vegjël”, në 1991-n. Pas ngjarjeve të ndryshimeve shoqërore  e politike në Shqipëri, ajo shkoi në Athinë të Greqisë ku jeton edhe sot.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *