26 Dhjetor, 2024

Disa fjalë për Eva Alikajn dhe Rajmonda Bulkun, që iu janë turrur duke i sharë me libër shtëpie

 Disa fjalë për Eva Alikajn dhe Rajmonda Bulkun, që iu janë turrur duke i sharë me libër shtëpie

Nga Vangjush Saro

Prej disa ditësh i sillja nëpër mend këto radhë; duke medituar për protagonistet e këtij subjekti. Në fakt, më erdhi keq për Evën (Alikaj) në mënyrën se si u afrua dhe ‘u përzu’ nga ajo shfaqje e shëmtuar e mediokre ku s’duhej të ish qasur, por që, për fat të keq, prodhon para dhe njerëzit e ndjekin si të marrë!

Kujtoja disa nga rolet e saj më të bukura dhe vërtet, prapë e them, më vjen keq. Po ashtu edhe për ‘rolin’ që ka marrë përsipër Monda (Bulku) në këto përpëlitje të një opozite, për të cilën, në një nga shënimet e mia kam përdorur titullin “O(h)pozita!”

Nuk ka njerëz të pagabueshëm. Dallgët e jetës, bindjet, nevojat, kokëshkrepjet, rastësitë, këto e të tjera përplasin edhe më të qëndrueshmin. Prandaj habitem se si një sërë e lëshojnë gojën mbarë e prapë, me një mendjelehtësi që të tremb, duke u zhallavitur në një batak fjalësh e gjestesh të ulëta, a thua jetojmë në ndonjë geto të humbur.

Por jo më pak habitem, madje mërzitem edhe me disa TV e gazeta – për fat të keq, edhe ato ndiqen nga publiku – që, për të siguruar ca më shumë vëmendje, lejojnë gjithfarë debilësh të lëshojnë jargët e tyre të ndyra në shtyp (!) Kjo është pjesë e ‘akordit’ që ka bërë shteti me mediat dhe institucionet, akord që lyp rishikim, ringritje.

Disa nga aktoret tona më të mira, siç shihet, më tej qëlluan pa fat, nuk janë edhe aq të lumtura; ose, më e pakta, të kënaqura, të realizuara. Të tjera (kolege) ishin dyfish me fat: në karrierë dhe në jetën vetjake, familjare. Por sido që të shkojnë opinionet lart e poshtë, ishim ne me fat që i patëm dhe i kemi ato. T’i hedhësh sot njerëzit, ca më pak artistët, mbi e kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që jemi të lirë të promovojmë më të mirën, realisht më të mirën, për dje dhe për sot, unë nuk e di çfarë është kjo dhe pse vuajmë gjithnjë manish e luajmë gjithnjë armiqsh…

Është shumë e lehtë tani të thuash pse ashtu e pse kështu, të shash e të urresh, të japësh mend gjithaq; koha, vëllezër e motra, i limitoi të gjithë, paçka se disa bëhen sot ‘trima pas lufte’, dalin e flasin veresie, a thua këta dhe prindërit e tyre s’ishin atje kur Shqipëria provonte e prodhonte të mira e të këqia (!)

Po kthehem te koleget tona artiste, veças ato që shkëlqyen në vitet (e vështira) ‘70 e ‘80. Nuk patën mundësi të bënin kontrata e të fitonin më shumë; të luanin me partnerë të huaj, të ishin në prodhime të përbashkëta, të shëtisnin botën, të ishin më të lira e më të përkëdhelura nga fati. Por u mbajtën, jetuan dhe mbijetuan në kufizime të kufizuara dhe me paga qesharake; dhe nuk ceduan për asnjë çast në dinjitet e figurë.

Ato luajtën në teatër e në film, bënë detyrën ndaj vendit dhe ndaj profesionit të tyre; edhe kur ishin mirë, edhe kur ishin në hall. (Artistëve u duhet të qeshin edhe pse mund të kenë një mal me brenga, të ditës apo nga e shkuara.) Pa asnjë dyshim, ato dhanë më të mirën e tyre; madje me bukurinë dhe qasjet e pakta romantike, ua zbukuruan jetën dhe ua përmirësuan sadopak ndjesitë njerëzve.

Ato krijuan edhe figura që i qëndruan kohës, zbutën disi vështirësitë dhe vrazhdësinë e dekadave – në një jetë pothuaj absurde – duke shkëlqyer në disa nga filmat e mirë të Kinostudios dhe RTSH, falë edhe skenarëve gjithashtu të mirë të disa autorëve të spikatur si N. Lera, B. Hoxha, N. Tafa, B. Myftiu, etj. dhe kinoregjisorëve gjithaq Dh. Anagnosti, V. Gjika, K. Mitro e I. Muçaj, P. Milkani, E. Musliu, A. Xholi, etj. (Duaje emrin tënd, Apasionata, Telefoni i një mëngjesi, Në çdo stinë, Të shoh në sy, Brazdat, Unë e dua Erën, Fillim i vështirë, etj.)

Druaj se shoqëria shqiptare ka ‘shkalluar’ pak; ajo po godet rëndë disa nga vlerat dhe trashëgimitë e saj më të mira. Nganjëherë, nuk je i sigurt nëse liria ua ka hapur apo ua ka shqyer gojën (edhe sjelljen) një pjese tonës. Atje në malësi, vëllait më të madh i thoshin “Bacë”. Gjithandej atij vendi bënin kryq për nënën, gruan, motrën, bijën. “Përgjigjem për djalin me kokën teme” i betohet kosovari Shpend Dragobia Lymit, shokut të tij të armëve në filmin “Nëntori i dytë”.

Mendoj, disa virtyte, sjellje, i bëjnë sfidë (duhet t’i bëjnë sfidë) çdo kohe. Liria është një pasuri e madhe. Por ajo do çmuar siç e meriton. Të shkrehesh kështu si ne, bam e bum përditë, shaj atë e vrit këtë tjetrën… kjo nuk shkon fare. S’u bindëm dot me atë termin ‘Rilindje’ – se edhe vetë krerët socialistë u tallën e po tallen – por ne vërtet paskemi nevojë të madhe për t’u ribërë.

Lexohemi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *