26 Dhjetor, 2024

Letra prekëse e Gëzim Kames, për Viktor Zhustin: Faleminderit për emocionet që më dhurove, miku im

 Letra prekëse e Gëzim Kames, për Viktor Zhustin: Faleminderit për emocionet që më dhurove, miku im

Nga Gëzim Kame

Viktor, miku im i jetës dhe profesionit!

Mbrëmë, për të dytën herë, pas Vlorës, në Teatrin Kombëtar, ndoqa shfaqjen “Profesionisti”.

Kisha vite që nuk kisha ndjerë të tilla emocione estetike dhe profesionale, që buronin prej asaj që me aq mjeshtëri kishit zbuluar në skenë!

Ishte një “kuartet”, “teatër dhome”, ku çdo element ishte realizuar artistikisht, me masë e përpikmëri!

Së pari, dua të vë në dukje zgjedhjen e veprës, për forcën artistike e sidomos aktualitetin, aq të ngjashëm e të mprehtë, si të qe shkruar enkas për ne!

Përkthimi i shkëlqyer nga miku ynë i përbashkët, Timo Flloko, qartësia e dialogut, gjuha e pastër, e zgjedhur, konkrete dhe aktive, qe një ndër faktorët që spektatori i shumtë ndoqi subjektin me të tillë kujdes e kërshëri, që jo çdo herë ndodh në marrdhënien sallë-skenë!

Sigurisht, mbasë një vepre të zgjedhur e trajtuar me mënçuri, “fshihet”, krinuesi, drejtuesi dhe organizatori i gjithëshkaje në veprën skenike, që udhëheq trupën (ai që rëndom në zhargonin e skenës e quajmë qënie me tri kokë), REGJISORI, udhëheqësi artistik , pedagogu dhe truri i atij krijimi skenik.

Kjo është dhe arritja më e madhe e regjisurës së Leka Bungos, prej të cilit kam parë disa shfaqje, por kjo, dallonte në çdo aspekt.

Asnjë synim për efekte të jashtëme, “i fshehur” me kujdes në trajtimet dhe krijimet e aktorëve dhe njëkohësisht, prezent në çdo gërmë, mendim, detaj, pauz skenike, ide dhe perceptim tërësor!

Të arrish të paraqesësh një ansambël unik në stil e me një gjuhë të thjeshtë teatrore ( për mendimin e formimin tim) është rruga më e vështirë në regjisurë, është pjekuri artistike, që meriton vetëm lavdërim!

Element tjetër, kryesor, në veprën skenike, është padyshim AKTORI!

Viktor i dashur, në këtë rol ti ke një shpërthim aktoresk të rrallë, do ta quaja, një majë në galerinë e figurave të shumta që ke realizuar!

Ka mjaft aktorë, pa dyshim të talentuar, që e sjellin personazhin tek vetja, ekzistojnë objektivisht në skenë dhe janë të vërtetë e bindës në gjithçka bëjnë. Të tillë, janë shumica.

Ka dhe një “racë” tjetër aktorësh (si më të rrallë) që, ndryshe nga të parët, dalin nga vetja, tjetërsohen, duke u përpjekur të krijojnë një figurë artistike, sa të plotë e të vërtetë, aq dhe të pangjashme me gjithçka të krijuar para kësaj.

Kjo, besoj, është një “specje” e rrallë!

Tek “Profesionisti”, pashë edhe një herë përjetimin dhe transformimin e thellë, i futur në lëkurën e personazhit, psikologjinë, emocionet, ritmin, timbrin e vokalit dhe syrin e tij!

Ky transformim nga vetja tek personazhi, cilësi e çmuar, jo e kudogjendur, kërkon eksperiencë, vullnet, këmbëngulje, kulturë, inteligjencë, cilësi këto, të një talenti të spikatur!

Të lumtë miku im dhe faleminderit për emocionet që më dhurove edhe kësaj here!

Dua të përshëndes dhe mikun tim Astrit Hasani, për vërtetësinë me të cilën interpretoi figurën e shkrimtarit.

Ishte një partner i denjë krah teje!

Më kishte marrë malli për të parë punë thellësisht të pjekura profesionalisht, që respektojnë spektatorin dhe jo egon e artistit, në podiumin e Teatrit, këtij Tempulli të shenjtë!

Urime të gjithëve!

Miku dhe kolegu yt,

Gëzim Kame.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *