27 Dhjetor, 2024

Ndriçim Xhepa, një shembull modestie që na skuq të gjithëve nga turpi (jo si këta “VIP”-at që shohim në TV)

 Ndriçim Xhepa, një shembull modestie që na skuq të gjithëve nga turpi (jo si këta “VIP”-at që shohim në TV)

Nga Altin Dangëllia

Këtë fillimviti, kryeministri Edi Rama kishte mbledhur disa artistë dhe sportistë që kanë dalë në pension.

Postoi dhe disa foto me ta.

Me Ndriçim Xhepën ishte kujdesur të hidhte tre apo katër foto, herë duke e përqafuar e herë duke i qeshur vesh më vesh.

Ndërsa Çimi, si gjithmonë në atë modestinë e vet, ishte i njëjti.

Sepse ashtu është ai, si kur takon një kryeministër, si kur takon një njeri të thjeshtë.

Ndaj nuk mund të rrija pa shkruar dy fjalë për këtë kollos të artit, por dhe një njeri të madh.

Çim Xhepa, me emrin që ka, mund ta kishte përdorur atë për të marrë shumë përfitime materiale nga kjo jetë.

Mund të përdorte politikën për t’u pasuruar, pasi kushdo do të donte ta kishte atë në krah.

Shikoni Edi Ramën!

Mund të kishte shkuar fjala e vjen, e të kërkonte ndonjë post drejtori. Të gjithë do ia kishin dhënë.

Mund t’i shkonte kujtdo biznesmeni të madh në zyrë, dhe secili do ja kishte “mbushur xhepin”, pasi Çimi do të ishte një reklamë e mirë për ta.

Mund të shkonte në çdo television dhe do i kishte dyert e hapura.

Me pak fjalë, mund të kishte përdorur emrin e tij të madh tek kushdo dhe kudo, për t’u pasuruar, por nuk e bëri kurrë.

Ai preferoi më mirë të bëjë administratorin e pallatit ku jeton, gjë për të cilën dhe u përpoqën ta denigrojnë (për këtë ndoshta do shkruaj një ditë tjetër), se sa të përdorte emrin e tij për përfitime materiale.

Sepse e dinte, që nëse do e bënte këtë gjë, emri i tij nuk do ishte më i njëjti. Do e kishin bërë pis, siç fjala vjen kanë tentuar të bëjnë me të madhin Robert Ndrenika, pse ndërroi mëndje për Teatrit e ri Kombëtar dhe e akuzuan se u ble nga Erion Veliaj.

Ndaj me modestinë e tij, pa u ndjerë kurrë, pa kërkuar bujën, pa u shfaqur nëpër emisione si këta “VIP”-at e sotëm që s’kanë bërë asgjë në jetë, pa nxjerrë gjoksin për të treguar se kush është, por duke ruajtur një profil të ulët, edhe pse një aktor i madh, ai ka mundur të ruajë emrin e tij të paprekur dhe të pacënuar nga askush.

Duke na treguar se në jetë, emri ka më shumë rëndësi si pasuria.

Gjë që pak vetë e vlerësojnë në Shqipëri, pasi të gjithë janë vërsulur drejt lekut, duke harruar se çfarë ka rëndësi vërtet në jetë dhe se ajo që mbetet në fund, është emri, jo leku. (Shkruar për Aktorët shqiptarë)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *