27 Dhjetor, 2024

Burrecët pa emër që i janë turrur Eva Alikajt

 Burrecët pa emër që i janë turrur Eva Alikajt

Nga Adelina Shehu

Aktorja e njohur Eva Alikaj është vënë në qendër të disa sulmeve të shëmtuara ditët e fundit.

Kjo, pas vendimit të saj për të marrë pjesë në Big Brother Albania.

Që prej asaj dite, nëpër portale ka nisur të hidhet baltë ndaj saj, dhe kulmi arriti një ditë më parë, kur një portal i drejtuar nga një gazetar i rritur në Bllok, e quante skandal pse Eva Alikaj merrte rreze dielli e zhveshur me rroba banje, buzë një pishine.

“Video skandaloze e Eva Alikaj në Big Brother si degradim i aktorëve të socrealizmit”, thoshte që në titull ky portal vrerhedhës, a thua qenka mëkat të dalësh me rroba banje në pishine për të marrë rreze dielli.

Ndoshta për ta, do të duhej të dilte e mbuluar me ferexhe, që të ishte në rregull me moralin e tyre.

Por nuk ndalen këtu.

“Me gjuhën e saj të trupit ajo duket sikur thotë: harrojeni famën e dikurshme dhe më kini zili format fizike të një 62 vjeçareje”, vijon shkrimi degradues ndaj aktores së njohur, a thua marrja e rrezeve të diellit, është ekspozim i formave fizike.

Pastaj e akuzojnë se hyri në Big Brother se ka ngelur keq për lekë, dhe këtu sjellin edhe rastin e rrëfimit të Genc Fugës, a thua është turp të jesh i varfër. Epo kohët kanë ndryshuar dhe tani nuk vlerësohen më artistët, por gazetarë si këta që bëjnë shkrime të tilla, të cilët janë bërë milionerë duke shërbyar sa majtas e sa djathtas.

Në fund, arrijnë në përfundimin se “publiku është i neveritur nga këta “kolosë” të kinematografisë socrealiste”.

Tani nuk dihet se nga e kanë nxjerrë këtë përfundim, pasi në fakt, ata janë vërtetë kolosë, dhe pa thonjëza, siç e kanë bërë, dhe nuk i neverit njeri, por i duan njësoj si atëhere, ndoshta edhe më shumë.

Ndryshe nga këta gazetarë anonimë, që nuk guxojnë të vënë as emrin në shkrimin degradues ndaj një artisteje, që e kanë trajtuar si me qenë një plakë e dalë nga moda dhe që po përpiqet të tërheqë vëmëndje me trupin e saj.

Gjë që Eva Alikaj nuk ka nevojë ta bëjë, se vëmëndjen ajo e ka fituar me kohë, me filmat që ka bërë.

Por meqë kanë arritur në përfundimin se publiku është neveritur nga këta kolosë, le të bëjnë një sondazh se për kë ka neveri publiku, për aktorët si Eva Alikaj, apo për këta gazetarët që nuk guxojnë dot as të vënë emrin në shkrime të tilla të ndyra.

Se ndryshe nga këta të përdorur si “prostituta politike” nga çdo pushtet, Eva Alika i vë emrin dhe fytyrën çdo gjëje që ka bërë në jetë.

E ka bërë këtë gjë, se nuk ka asgjë çfarë të fshejë, madje edhe kur gabon, siç mund të ishte rasti i pjesmarrjes në Big Brother Albania.

Ndaj kur vendosni të sulmoni një personazh si Eva Alikaj, se kërkon të tërheqë vëmendje me trupin e saj apo se hyri në Big Brother për përfitime materiale, bëni mirë të reflektoni pak, se është kollaj të akuzosh të tjerët.

A jeni ju ata që mund të gjykojnë Eva Alikajn dhe kolegët e saj? Sigurisht që jo, ju jeni pjesa ndoshta më e keqe edhe se politikanët e kësaj shoqërie, pasi ashtu siç akuzoni Evën dhe kolegët e saj “socrealistë” se bënin propagandë me filmat e tyre në kohën e Enverit, ju keni 30 vjet e kusur që bëni të njëjtën gjë tani në demokraci, herë për Fatosin, herë për Saliun, herë për Ilirin e herë për Edin!

Por ndryshe nga atëhere, kur ishe i detyruar të bëje ç’të thoshin, se të ikte koka, ju e bëni në liri të plotë, thjesht për disa pare të qelbura.

Prandaj kur drejtoni gishtin nga Eva dhe kolegët e saj, kujtoni se kush jeni dhe çfarë bëni! Me siguri s’do të ndiheshit krenarë. (Shkruar për Aktorët shqiptarë)

1 Comment

  • Nuk e kam ndjekur dhe nuk ndjek programe te tilla,por mesa kuptoj veprimi i saj eshte nje metaforre per keto programe.
    Respekt per aktoret e kinematografise Shqiptate!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *