27 Dhjetor, 2024

Në kujtim të “Perikliut” tonë të dashur, në 2 vjetorin e ndarjes nga jeta

 Në kujtim të “Perikliut” tonë të dashur, në 2 vjetorin e ndarjes nga jeta

Aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë, Anastas Kristofori, u nda nga jeta si sot dy vit më parë.

Ai ka një galeri të pasur rolesh, por spikati me rolin e Perikliut në Pallatin 176, komedia aq e dashur për publikun, edhe pse ka më shumë se 3 dekada që është vënë në skenë.

Të gjithë e kanë parë, të paktën një herë të vetme komedinë “Pallati 176”, ku një nga personazhet kryesore të veprës është pikërisht aktori Anastas Kristofori, në rolin e drejtorit, babait të Elsës.

Interpretimi brilant i këtij roli dhe talenti i pashoq, spikati dhe e kthyen atë në një nga aktorët më të dashur për publikun.

Por jo vetëm te Pallati 176, dhuntia e tij për të skalitur figura origjinale, të shoqëruara nga një sens humori, do ta bënin atë aktor të parapëlqyer në shumë nga shfaqjet e Teatrit Kombëtar.

Së fundmi, artisti u shfaq në një nga premierat më të suksesshme të vitit 2014, “Liri në Bremen”. Mjeshtëria e interpretimit dhe përshtatja me personazhin e kthyen këtë vepër në një ndër veprat më të suksesshme të të gjithave kohërave.

Anastasi ishte edhe një ndër recituesit pasionalë e të suksesshëm të poezisë shqipe.

Kush ishte Anastas Kristofori

Anastas Kristofori ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Talenti për aktrim spikati që në vogëli tek artisti. Në moshë vogël Anastasi fillon të aktivizohet në role amatore. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970, fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.

Të shumta do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri.

Teatri

Interpretimet e para të tij do të nisnin në teatër. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfi në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera. Roli i tij më i fundit ishte në vitin 2014 në dramën “Liri në Bremen”.

Disa nga shfaqjet më të pëlqyera nga publiku janë: Viti 61, Toka jonë, Prefekti, Pallati 176 (1985), Liri në Bremen (2014)

Kinematografia

Në kinematografi, aktori Anastas Kristofori ka interpretuar në 10 filma. Roli i tij i parë ishte në në vitin 1976, roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si p.sh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj. Roli i tij më i fundit ishte roli i Perikliut në dramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit.

 

1 Comment

  • …Krushqi me Jovan Bregun …pu pu pu…Embleme qe do te perkutojne brezat ne cdo pervjetor….I Paharrueshem.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *