26 Dhjetor, 2024

Historia e panjohur e lagjes së famshme në Tiranë: Nga mësuesit, mjekët e shoferët, deri te artistët e ’21 Dhjetorit’

 Historia e panjohur e lagjes së famshme në Tiranë: Nga mësuesit, mjekët e shoferët, deri te artistët e ’21 Dhjetorit’

Duket sikur të gjitha rrugët kalojnë nga “21-shi”. Jo vetëm për tironsit, por edhe për të gjithë të ardhurit, kryesisht nga Jugu, “21-shi” është një tjetër pikë takimi, përpos monumentit të Skënderbeut. Të gjithë e marrin për të mirëqenë, por përveç banorëve apo ish-banorëve të zonës, të paktë janë ata që e dinë historinë e saj, si u ndërtua, kur, pse mori emrin “21 Dhjetori”, cilat qenë ndërtesat e para…! Për të shuar kureshtjen e atyre që nuk e dinë, por edhe për nostalgjikët, po kthehemi pas në kohë, jo vetëm te historiku i kësaj zone të ndërtuar nga ish-të burgosur politikë, por edhe për të kujtuar ish-banorët e saj, figura të njohura apo jo, ndërmarrjet që mbushën zonën, dyqane e berberhane, shitës, policë, etj.. Janë vitet ’60 dhe Tirana është përfshirë nga një fazë ndërtimesh, pasi nevoja për strehim është e madhe.

Nga Uvil Zajmi

Në planin rregullues të saj u projektua të fillonin ndërtimet në një pjesë të lirë, në perëndim, rreth 300 metra larg nga qendra e kryeqytetit, përgjatë rrugës “Konferenca e Pezës”, e vetmja që të çon në Kombinat, për te Varrezat e Sharrës, Ura e Beshirit, Ndroq, Pezë, pastaj te Plepat e Durrësit. Përpara ndërtimit, në atë zonë gjallonin vetëm pijetorja e Rrem Vrapit, ish-fushë për dru, Mulliri i Mënikve, Peshorja dhe në të djathtë, Fusha e Aviacionit.

Emri për nder të Stalinit

Blloku i “21 Dhjetorit”, ka qenë një qytezë brenda një qyteti, një metropol i vogël, një qendër multifunksionale ku bashkëjetonin të gjitha shtresat e popullsisë. Me një kryqëzim gjigant, simbol i zonës, u quajt “21 Dhjetori”, emër i përzgjedhur gjatë periudhës së Shqipërisë komuniste. Ishin vitet e dashurisë së madhe shqiptaro-sovjetike. Data 21 dhjetor, është ajo e lindjes së diktatorit sovjetik, Josif Visaranoviç Stalinit. Në harkun e dy viteve, punimet përfunduan, pasi punohej pa ndërprerje dhe si krah pune, u shfrytëzuan të burgosurit politikë, por edhe mjeshtrit e ndërtimit nga Golloborda, të sistemuar te Godina e Beqarëve, i pari majtas.

Në një kohë u ngritën tri ndërtesat e vendosura; dy nga e djathta dhe një nga e majta, përgjatë rrugës, që hapej në gjerësi, madje dy të fundit, të projektuara në formë L-je e Z-je. Pastaj dy ndërtesat-kullë, sapo kaloje kryqëzimin, për të vijuar me pallatet simetrike nga dy krahët e rrugës drejt perëndimit, por edhe nga jugu, me të njëjtën strukturë katër e pesë-katëshe, me dy e tre dhoma e një kuzhinë. Pallatet ishin pa ballkone në katin e parë dhe me bodrume, por vetëm për të mbajtur dru e qymyr. Ndriçimi i rrugës, bëhej nga shtylla të baraslarguara, me llamba neoni të gjata.

Pastaj dyqanet: Nga Berberi, Permanenti, Posta, Arka e Kursimit, Gjellëtorja, Pastiçeria, Vetëshërbimi, Mapo, Ambulanca, Klinika Dentare, stacionet e autobusëve e, bashkë me to njerëzit nga më të njohurit e popullorë të botës së artit, kulturës, profesorë, arkeologë, shkrimtarë, sportistë, të profesioneve të ndryshme që kanë jetuar aty. Midis tyre dhe sopranoja e madhe Marie Kraja, skulptori Janaq Paço, etj. Por kanë jetuar edhe shumë të huaj, hungarezë, malazezë, etj..

Ndërmarrjet e famshme të “21-it”

Stabilimenti “Mihal Duri”, ishte i pari kur vije për te 21-shi. Mbrapa pallatit të Ambulancës Nr.9, gjendej Instituti i Gjeologjisë, me inxhinierët e saj të paharruar, nga drejtori S. Guranjaku, tek R. Avxhiu. Ajo zonë mori famë pasi, aty ka qenë edhe Ndërmarrja e Ndërtimit “21 Dhjetori”, më e madhja jo vetëm në Tiranë, e vendosur në majtë, pas dy pallateve. Punohej në disa kantiere dhe me turne.

Nexho Konomi, mbetet drejtori legjendar i saj. Në fillim të unazës në të djathtë, ishte Libër-Filmi, Shtëpia Botuese, Shtypshkronja “8 Nëntori”, ajo “Kotbus”, Instituti i Studimeve Pedagogjike, ku kanë punuar Pajtim Bejtja, Luan Hajdaraga, Instituti i Gjuhësisë me Androkli Kostallarin drejtor. Përballë tyre ISPM-ja (Instituti Studimeve e Projektimeve Mekanike), me drejtor Llazar Xhajankën.

Duke kaluar kryqëzimin, drejt Kombinatit vinin Uzina “Enver”, Punëtoria Ushtarake (ku punonin vetëm gra), NSHRAK-u, (Ndërmarrja Shtetërore e Riparimit të Automjeteve të Komunikacionit), Parku i Mallrave dhe ai i Autobusëve, të gjithë pranë njëri-tjetrit si dhe ndërmarrja e realizimit të Veprave të Artit, ku skulpturat derdheshin në bronz. Te ura, te Shkolla Teknologjike, poshtë së cilës kalonte Lana, aty mbaronte “21-shi”, me kufirin perëndimor të tij.

Këndi i famshëm i “21-shit” dhe autobusët urbane

Segmenti i parë lidhës rrugor i asfaltuar, ishte ai ndërmjet “21-shit” dhe “Zogut të Zi”, realizuar në mes vitet 1960-’70-të. Në krahun verior të sheshit, për shumë vite ka qenë Tabela e Emulacionit, ku shkruhej “Lart frymën revolucionare” e ku vendoseshin njoftime, foto me punëtorë të dalluar, por edhe fletë-rrufe. Gjithnjë binte pre e vjedhjeve, pasi të rinjtë që kalonin kohën të ulur aty, i vidhnin peçikllasin gjatë natës.

Integruar në shesh, ishin edhe banjat publike, (pranë Rajonit të Policisë sot), me Ramizin, Mexhitin dhe Xhemilen, që kujdeseshin për to, ku natyrisht çdo shërbim ishte pa pagesë, ose me një dy lekësh të vjetra (20 qindarka). Në qendër të sheshit, në një rreth të bardhë, qëndronte polici i trafikut.

Banorët e zonës, kujtojnë Nasin e Bidon, që qëndruan aty deri kur u vendosën semaforët, në vitet ’80-të, nga specialisti policor, Përparim Elezi. Ajo që mbetet në kujtesë për banorët është, tribuna prej dërrase, mbrapa pallatit kullë të postës, ku jepeshin shfaqje artistike për fëmijë, si “Pinoku”, etj. Njihej nën zë si: “Tribuna e Kodoshit”, emër i shkruar me bojë nga një i ri ekstravagant i lagjes dhe ashtu mbeti deri kur u prish rreth viteve ’70-të, pasi pleqtë, filluan ta përdornin për të luajtur domino.

Stacionet e autobuzëve, shoferët dhe faturinot që janë kujtuar gjatë!

“Te 21-shiiiii, kush ka me zbrit…! Jemi te 21- shi, afrohuni te dera”, bërtiste Noci, fatorino legjendar, kur autobusi ndalonte në stacion. “21-shi”, ishte stacioni i dytë pas Stabilimentit, kur shkoje për në Kombinat (Tekstileve “Stalin”), e përballë tij, në drejtim të kundërt, ai për nga Banka. Si gjatë periudhës kur autobusët ishin vetëm Bankë-Kombinat, por edhe me bashkimin e linjës Kombinat-Kinostudio, lëvizja nga “21-shi”, ishte intensive, me nxënës e studentë që nxitonin për në shkollë dhe punonjës, një pjesë e madhe e banorëve të zonës që punonin kryesisht në Kombinati Ushqimor “Ali Kelmendi”, të Kombinatit të Drurit “Misto Mame”, Kombinatit Tekstileve “Stalin”, me një fluks tejet të madh, kryesisht në orët mëngjesit.

Shoferët e autobusëve, Sejfullai i “Vibert”-it, të “Skoda”-ve me rimorkio, apo “Ikarus”-save hungarez, ishin mjaft popullorë. Me funksionimin e Unazës së Madhe, “21- shi”, u bë nyja që bashkonte Tiranën: veri-juglindje-perëndim, me një qarkullim rrugor nga të dyja krahët. U krijuan edhe dy stacione të tjera: Te shkolla “Sabaudin Gabrani” dhe tjetri përballë saj. Shpesh herë nga dyndja, autobusët që ishin të pakët në numër, të tejmbushur, nuk qëndronin te stacioni, por vazhdonin disa dhjetëra metra më tutje dhe njerëz që i ndiqnin me vrap, për të hipur kur ato ndalonin.

Shkollat dhe mësuesit e paharruar

Dy, kanë qenë shkollat që janë të lidhur me historinë e “21 Dhjetorit”, të vetmet në ato zonë për kohën. Tetëvjeçaret “Naim Frashëri”, e spostuar rreth 150 metra në perëndim dhe “Sabaudin Gabrani”, thuajse në kryqëzim, nga jugu, i ndërtuar rreth vitit 1965. Kishte një preferencë në frekuentim: Pjesa veriore dhe ajo perëndimore, nga e djathta e rrugës, vërshonin drejt “Naimit”, (ku është edhe sot pranë ish-Sport – Klubit “Partizani”), ndërsa pjesa e krahut tjetër, te “Sabaudini”.

Kujtohen mësueset, si zysh Dizi në biologji, ato të rusishtes heroina V. Druga, N. Pustina, A. Hadëri, Zh. Afezolli, A. Cetka, M. Hoxha dhe pas tij, M. Bejleri, drejtorët mitikë të “Naim Frashërit”. Po kështu, Kimete Bozhigradi, drejtoresha e paharruar e “Sabaudin Gabranit”, apo Dallandyshja, Semihaja, Zana, Nevrezi, Bedihaja, Saveta, Violeta, Irini, Evanthia, S. Poga, H. Qosja i gjeografisë, Ll. Konomi e fizkulturës, etj., kanë qenë nga mësuesit legjendarë të këtyre dy shkollave.

Pranë tyre, madje një mur i ndante, ishin çerdhja e kopshti. Ndërsa pas Tabelës së Emulacionit, u ndërtua Shkolla e Mesme e Kulturës, bashkë me konviktin, pastaj u transferua në Degën Elektrike të Politeknikumit. Por edhe ILKF-ja “Vojo Kushi”, (Instituti i Lartë i Kulturës Fizike), ajo Teknologjike, pjesë e “21-shit”, kanë qenë.

Ambulanca, Klinika Dentare, multifunksionale

Ka qenë e vendosur në katin e parë të ndërtesës së parë majtas, pasi në katin e dytë ishte Klinika Dentare dhe në të tretin banonin familje “reaksionare”, (të persekutuarat prej regjimit komunist) deri te beqarët, apo pensionistët. Si Ambulanca e Lagjes Nr. 9, por edhe reparti dentistëve, ishte e rrethuar me një nam të madh dhe të dyja bashkë kanë qenë tejet të frekuentuara, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe të Tiranës. Si një pikë shëndetësore e rëndësishme kanë punuar aty mjekja patologe me origjinë bullgare, Dr. Cikuli, ajo spanjolle, Dr. Xhozefina, Dr. Flutura, infermieret; Roza, Peri, Ermioni, etj.

Koço Leka, doktori që përdorte motoçikletë, Dr. Nasi Bozheku, Rik Pavllo, (kirurg i njohur), Zenepja, infermierja e injeksioneve, me zërin e trashë karakteristik, Dr. Abdulla Beci, njëri nga drejtorët e saj. Ndërsa në Klinikën Dentare, kujtohen dentistet që, nga Aneta, (nëna e kryeministrit aktual Edi Rama), Melita, Shqipja, Marta e diplomuar në Sofje, Tasha, laborantja që fatkeqësisht nuk jeton më, si dhe N. Gjebrea, i ndarë nga jeta kohët e fundit.

Dyqanet bashkë me shitësit

Kanë qenë disa dyqane të rëndësishme, ku të gjithë “21-shat”, bënin pazarin. Ngjitur me Pallatin e Kuq (përballë Muzeut) ishte furra e pjekjes e njohur me Xhevon, me trekëndëshat e aluminit mbi tava, dyqani “Fruta-Perime” me Donikën e Mitro Krasensin, bashkë me to, Dyqani i Bukës, me Lenën dhe Bulmeti, me Ketin shitëse. Por, kryesori ishte blloku i dyqaneve poshtë atij pallatit në formë Z-je.

Në vijë të drejtë, ishin buka, bulmeti, ai ushqimor dhe mishi (gjiza e ullinjtë, shiteshin nga një derë mbrapa pallatit). Shitëset e bukës, Paqo, Eftalia, Stana, mamaja e Bogdan Zogoviç, (ish-mjek në urgjencën e Tiranës, aktualisht jeton në Podgoricë), apo Noc Krasniqi i Ushqimores dhe Bardha e Ninja, të bukës. Pastaj vijonte një kinkaleri ngjitur me tunelin dhe pranë saj, Xhiku, lustraxhiu që me dhjetë lekë, të shkëlqente këpucët…! I vetmi jashtë këtij kompleksi, ishte “Fruta-Perime”, me shitës Nderimin.

Përballë, diagonal (sot Banka) ishte “Fruta-Perime”, ku shërbenin Gëzimi, pastaj bashkëshortët, Fatimja me Fejzon. Pranë ishte Arka e Kursimit, ku paguheshin faturat e elektrikut, ujit e qiraja e shtëpive. Ngjitur, në katin e parë të kullës, me pamje nga jugu, ishte Posta me Omer Lamin, përgjegjësin, bashkë me gruan, Bibika, Faro Kapolin dhe Ylvijën. Në atë zonë, mungonte një dyqan vajguri dhe një farmaci. Pa vajtur te “21-shi” ishin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse, të cilat kanë shërbyer si të vetmet kulte fetare, deri më 1967-ën, kur feja u ndalua me ligj nga regjimi komunist i kohës.

“VETËSHËRBIMI”, i pari eksperimental në Tiranë

“Vetëshërbimi”, ka qenë hera e parë që është praktikuar një sistem shërbimi, si në marketet e sotshme në Shqipëri, “Gastranomi” te “21 Dhjetori”, (kështu njiheshin qendrat me grupime dyqanesh). Pikërisht, aty ku ishin më parë bulmeti, ai ushqimor dhe i mishit, u hap “Vetëshërbimi”, që si e kishte emrin, ashtu edhe veprohej: Të sistemuara në rafte, klienti merrte sendet ushqimore dhe i vendoste në një shportë, paguante te arka para daljes dhe largohej. Rita e bukur, Flora, Pina një grua e mrekullueshme dhe Dallandyshja, ishin nga shitëset e para të “Vetëshërbimit”.

MAPO dhe orët me autorizim!  

MAPO, gjendej direkt pas kthesës ku ishte kinkaleria, me pamje ballore nga veriu, përballë stacionit të autobusit. Një Mapo e madhe, me dy hyrje, me banakë në formë U-je, ku gjeje gjithçka, metrazhe, veshmbathje, këpucë, etj. Ajo ka qenë shumë e frekuentuar, si e vetmja magazinë popullore e zonës, edhe nga periferitë, për shkak të ndalesës së autobusit. Në një periudhë kohe, në atë Mapo, janë shitur edhe ora dore me autorizim.

Vaja, ishte shitësja e metrazhit, e cila lajmëronte klientët kur furnizohej me kadife, shumë e preferuar nga të rinjtë. Kur para dyqanit krijohej konfuzion dhe në ndihmë vinin forcat e Policisë për të evituar dyndjen, shitja, zhvendosej mbrapa pallatit, ku hapej një derë e vogël.

“Permanenti”, ‘Qendra Estetike’ e grave

“Permanenti”, (apo siç njihej dhe shkruhej ndryshe në atë kohë, edhe si: “Ondulacioni”), ndodhej në krahun tjetër të rrugës, në katin e parë të pallatit, te stacioni i autobusit që shkonte për në Kombinat. Shumë e njohur dhe e preferuar, si e vetmja “Qendër Estetike”, në atë zonë, ishte gjithmonë plot me gra e vajza me, “skafandrat” e njohura të profesionit në kokë, të ulura në karrige, në pritje për të rregulluar flokët.

Miqësore e të sjellshme, gratë kujtojnë hungarezen Klara, gruan e radiologut të njohur Kosta Nano, Yllka Gëzdari, etj. Ngjitur me të, ka qenë edhe një dyqan i vogël, “Riparim çorape”, me Norën e bukur, vajzën e doktorit nga Shijaku.

Berberët me “orar unik”!

Berberët, tjetër grupim, tjetër famë e histori. Lokali ishte me pamje perëndimore, edhe ky në katin e parë të Pallatit në kënd me “Permanentin”. Me hapësirë të madhe, aty punonin njëkohësisht disa berberë dhe gjithmonë plot me të rinj, burra të të gjithë moshave. Krahas shërbimit të zakonshëm rruajtje-qethje, ishte edhe vendi ku, ziente diskutimi e dëgjoheshin ndeshjet e futbollit në radio.

I preferuar ishte edhe qëndrimi te bordurat e tij. Me berberët gazmorë e mikpritës, ishte krijuar një miqësi e veçantë: Nga Luftar Bregu (Tarja), Demi, Marku, Ziçja, Titi, Zihniu, Bilali, te Nazmi Dingu, i njohur si tifoz që mbante mbi pasqyrë foton e “17 Nëntorit”, kampion i ‘70-ës. Asnjë klient nuk largohej pa bakshish. Përveç të hënës, që ishte ditë pushimi për berberët, gjatë gjithë javës, lokali funksiononte me “orar unik”, një formë shërbimi, kur dyqanet nuk mbylleshin në drekë. Dyqani i “Berberëve” te “21-shi”, ka shërbyer edhe si pikë takimi dhe ku qytetarët linin porosi, etj.

Gjellëtore dhe Pastiçeri, bashkë në një kënd

Bashkë me një fotograf pranë që i ndante, por edhe i bashkonte, kanë qenë të vendosura në këndin e katit të parë të kullës së dytë, në të majtë të rrugës, Gjellëtorja dhe Pastiçeria. Gjellëtorja me pamje nga lindja dhe Mihali, ishte banakieri i lokalit bashkë me Navenkën, gruaja e Gj. Marashit, çifti me origjinë malazeze. Kishin edhe dy fëmijë, Kastriotin e Sllobodankën, nxënëse e “Petro Ninit”. Ndërsa përbri, me fytyrë nga veriu, ishte Pastiçeria me pak shkallë, ku shërbenin, Dizi e Suatja.

Riparim-Shërbimet, me sektorë të ndryshëm pune

Të ndërtuara pak më vonë, ato ishin dy komplekse tejet ndihmëse për banorët e zonës e rreth saj. Në drejtim diagonal, sektori i perëndimit, ishte i futur pas kullës së parë nga e djathta, ku gjeje Zdrukthëtari, Repart Elektrik, Axhusteri-torno, Saldime, etj., ku punonin mjeshtër të tillë, si: S. Halili, N. Kapoli, D. Hoxha, etj.

Tjetri, mbrapa pallatit “Z”, përfshinte të tjera kategori punimesh: Riparim-bravash, Riparim-çadrash, Biçikletash, Radio Tv., etj., ku ishin profesionistë, si: Skënderi, Fatosi (Tosi), i njohur nga llulla që mbante gjithë ditën. “21-shi”, ka pasur edhe “Pasurinë e Shtetit”, (ndërmarrja që administronte dhe mirëmbante pallatet shtetërore,)ngjitur me çerdhen, mbrapa shkollës “Sabaudin Gabrani” me Lefterin, përgjegjës dhe Xhevatin e Nailen, të njohur për zhbllokimin e oxhaqeve.

Pallatet dhe banorët, nga Marije Kraja, te Janaq Paço, e Skënder Anamali

I pari nga e djathta, menjëherë pas Muzeut, vinte pallati ku kanë banuar: Familjet e vëllezërve Paço, Janaqi, skulptori i njohur, autori i monumentit të Skënderbeut në Krujë dhe Androkli Paço, me dy vajzat, Fioralba dhe Inis; familja e sportistit të njohur, Halit Laçej me vajzën, skulptoren Arminda e, djalin, Fatmirin, avokatin; ish-zv/ministri Sali Kubati me gruan hungareze Irena, vajzën Suzana, që aktualisht jetojnë në Hugari; Marketinin, Maria dhe Antoneta të familjes Kola; Skënder Anamali, arkeologu i njohur me origjinë nga Shkodra, me fëmijët, Tritan e Lydra; profesori i frëngjishtes P. Kero, apo familja e Kol Goxhaxhiut.

Aty ka banuar edhe artistja e njohur, soprano Marie Kraja, me familjen dhe vajzën e saj, Ines. Po në atë ndërtesë, ka jetuar familja Shkurti, ajo Kapoli, me vëllezërit Nazmi, Xat e Ner, ajo e Raqi Notit, (Kryeinxhinierin e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”) dhe Arben e Nora Noti, fëmijët e tij. Për banorët e pallateve në ato vite, të sapo sistemuar, përbënte kuriozitet, kur mbi apartamentet dhe kokat e tyre, fluturonin avionët që uleshin te Fusha e Aviacionit, aty pranë, që tashmë nuk është më dhe i përket vetëm kujtimit të së shkuarës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *