25 Dhjetor, 2024

Letra emocionuese e Viktor Zhustit për Robert Ndrenikën: Bertuçi im i mirë, Shën Pjetri po na pret në qiell po ne kemi akoma arsye për të qëndruar në këtë botë

 Letra emocionuese e Viktor Zhustit për Robert Ndrenikën: Bertuçi im i mirë,  Shën Pjetri po na pret në qiell po ne kemi akoma arsye për të qëndruar në këtë botë

Aktori i madh Robert Ndrenika feston sot 82-vjetorin e lindjes.

Ne me këtë rast po botojmë këtë letër të Viktor Zhustit, të cilën ai ia niste tri vite më parë me rastin e festive të fundvitit.

Letra është vërtet emocionuese, ndaj po e ribotojmë, pasi janë fjalë zemre.

Letra e zhustit për Ndrenikën:

Robert i dashur! Unë, përgjithësisht shkruaj urime dhe për Krishtlindje, dhe për Bajram, dhe për ditëlindje, dhe për ndonjë festë tjetër.

Shkruaj pse, urimet në të tilla raste, si një urë e brishtë më lidhin me jetën, pasi, me pelqen a jo, pensioni dhe mosha, vendosin një kufi të dhimbshëm me njerëzit, botën, artin…

Do desha, i dashur Bert, më këtë rast, së bashku me ty, emër për emër, të uroj dhe dhjetra miq, kolegë, aktorë e regjisorë, brenda e jashtë vendit, por siç fort mire e di dhe ti, kjo “dreq raca jonë”, ka kujtesë njerëzore kur është rasti për të justifikuar harresat e veta (qoftë dhe të tekstit gjatë shfaqjes), por nëse “guxon” të harrosh pa përmendur qoftë dhe njeri prej tyre, (siç dhe më ka ndodhur), ke lënduar keqazi sedrën e tij dhe, ky “mëkat i ububushëm”, jo vetëm që nuk të falet, por as dhe të fshijet më kurrë nga CiVi-ja, (siç dhe e kam provuar), pasi në të tilla raste, kemi kujtesë elefantësh…

Prandaj, duke mos dashur të rregulloj një gabim bëj një më të madh, urimi për të gjithë, ndonse tepër i përzemërt, është i përgjithshëm. I miri Bertuç!

I nisëm studimet së bashku, në të njëjtën klasë, në vitin e hershëm 1960 dhe 60 vjet pas tyre, nuk u lodhëm as nga humori dhe as nga hallet e njeri-tjetrit.

Ka rastisur që dhe t’a kemi mërzitur njeri-tjetrin, por kurrë nuk iu mërzitëm njeri-tjetrit. Diferenca jonë në moshë është 10 muaj (e ke ndjerë, besoj, respektin ndaj teje si më i madh…) e megjithë këtë diferencë të vogël, çdo herë, në skenë t’i luaje “babanë e dhimbshëm”, unë “djalin plangprishës”, ti të mirin, unë të keqin, kur luajtëm një akt nga Shekspiri, ti zgjodhe Otellon, mua më le Jagon, unë (nga respekti siç të thashë), të kam thirrur më shkurtime miqësore: Bert, Bertuç, (së fundi me shkurtimin amerikan) Bob, kurse ti (si me karakter më të qëndrueshëm), vazhdimisht me nofkën “ e grek-o”, e prapë nuk u keqkuptuam si njerëz, nuk u ndamë si shokë, nuk nguruam të bashkëpunojmë si kolegë.

Po bëhet gati një vit që nuk jemi takuar, ti në atë-dhe, unë në mëmë-dhe. Na distancoi (s’më vjen për mbarë të them “n’a ndau”) Covid 19-ta e megjithatë qetësohem sa herë dëgjoj emrin dhe zërin tënd dhe në atë zë, shquaj nuance humori e gjallërie, pasi edhe pse “bir plangprishës”, më shqetëson shëndeti jot, “baba”… S’ka pse nxitohemi dhe as të merzitemi se u lodh duke n’a pritur Shën Pjetri, kemi akoma motive për të qëndruar në këtë botë, në këmbë, të gjallë, energjikë, hajde, po shtoj dhe: optimistë…

Pastaj ti vetë e ke pohuar (sa kam qeshur kur tek “Thëniet filozofike”, krahas atyre të Aristotelit, Konfucit, Comeniusit etj, lexova të shtuar dhe thënien tënde) “S’ka pse nxitohesh, nëse është fat, herët apo von, do të ndodhë” ! Dhe kështu, Bob i dashur, të uroj që motmotin e ri t’a kalojmë gëzueshëm, mes dashurisë (reale a virtuale) të të afërmve, miqve, kolegëve edhe pse në horizontin tonë dhe të këtij vendi sherrxhinjsh ku u rritëm, në këtë fillim dimri, shfaqjen herë pas here, re të zeza…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *