6 Tetor, 2024

Gruaja që na bëri të dashuroheshim me filmat shqiptarë

 Gruaja që na bëri të dashuroheshim me filmat shqiptarë

Nga Genc Përmeti

Sot, më 22 dhjetor 2022 mbushen pesëmbëdhjetë vjet nga dita kur regjisorja Xhanfise Keko (Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit) u nda nga jeta.

E njohur si një ndër gjashtë krijuesit e parë që u specializuan në ish Bashkim Sovjetik, Xhanfise Keko e nisi punën ditën e inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e Re” më 10 korrik 1952 si montazhiere. Për njëzetë vjet ajo kontribuoi në këtë fushë duke montuar dhjetra kinoditarë, kinoreportazhe, filma dokumentarë e filma artistikë dhe me eksperiencën e saj përgatiti kuadrot e para në këtë fushë. Po në këtë periudhë, fillimisht në krah të regjisorit Endri Keko e më pas në mënyrë të pavarur, realizoi si regjisore edhe mjaft filma dokumentarë ku shquajnë për këndvështrimin dhe vërtetësinë veçanërisht ata me temën e fëmijëve “Tingujt dhe fëmijët”, “A, B, C… Zh” dhe “Para çfaqes”.

Ishte pritja shumë e ngrohtë e këtyre filmave nga publiku, ajo që vendosi përfundimisht rrugën në të cilën do të ecte regjisorja Xhanfise Keko. Nga viti 1972 deri në vitin 1984, ajo do të realizonte njëmbëdhjetë filma artistikë, të gjithë kushtuar botës së fëmijëve. Njëri më i bukur se tjetri. Kujtojmë këtu filmat për fëmijë “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo” e “Një vonesë e vogël” si dhe ata për fëmijë e të rritur “Beni ecën vetë”, “Kur xhirohej një film” e “Taulanti kërkon një motër”. Të gjithë të mirëpritur nga publiku shqiptar. Por, edhe ai i huaj në aktivitete ndërkombëtare e të vlerësuar me çmime speciale në festivale ndërkombëtare si “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” e “Kur xhirohej një film”.

Në fund të këtij rrugëtimi të gjatë e të bukur artistik, regjisorja Xhanfise Keko do të largohej nga krijimtaria e qetë dhe kryelartë pasi e përmbushi misionin e saj në jetë ndaj fëmijëve të Shqipërisë. Njëkohësisht, e nderuar dhe e vlerësuar nga shteti me titujt më të lartë për kontributin e saj në kinematografinë shqiptare.

Nga ajo ditë, ajo jetoi shumë vite, mbi të gjitha, me kënaqësinë e nderimit, vlerësimit dhe falenderimit nga fëmijët e dikurshëm tashmë të rritur e fëmijët e tyre të cilët, ende dhe sot vazhdojnë t’i shohin me kënaqësi filmat e realizuar më shumë se dyzet vjet më parë nga regjisorja më e famshme e filmit shqiptar për fëmijë dhe një nga personalitetet më të shquara të kinematografisë shqiptare. Me ikjen e viteve dhe në pamundësi për shkak të moshës që të krijonte përsëri me të njejtin pasion e dashuri si dikur, për ta e fëmijët e tyre, Xhanfise Keko gjeti një mënyrë të re komunikimi. Ajo vendosi dhe hodhi në letër deri ditën e fundit, gjithë jetën e saj personale, familjare e artistike në një libër autobiografik të titulluar “Ditët e jetës sime…”. Kush më mirë e më bukur se ajo mund t’a bënte këtë gjë?!…

Dhe, Xhanfise Keko vazhdon të komunikojë me ne dhe fëmijët tanë, edhe sot, pesëmbëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta. Me filmat e saj që vazhdojnë të jenë ndër më të shfaqurit e më të pëlqyerit në ekranet e televizioneve shqiptare. Me prezantimet e shumta nëpër botë, nga Britania e Madhe në Francë, Itali, Austri, Gjermani, Danimarkë e Spanjë, nga Israeli në Brazil e Amerikë, ku befasia e fillimit ja ka lënë prej vitesh vendin vlerësimeve, analizave e studimeve që i bëjnë nder jo vetëm asaj si krijuese, por dhe kinematografisë shqiptare. Apo së fundi në Spanjë ku, si për një koinçidencë krejt të rastësishme në prag të 15 vjetorit të ndarjes së saj nga jeta, mbrëmjen e 16 dhjetorit u shfaq për herë të dytë brenda një muaji në Madrid një nga filmat e saj më të suksesshëm “Kur xhirohej një film”.

Me çmimet e karrierës të dhëna në festivale të ndryshme filmi në Shqipëri. Me titullin “Qytetare Nderi” që e kanë nderuar Gjirokastra ku lindi e u rrit dhe Berati ku realizoi një nga filmat më të suksesshëm. Me Çmimin e Nderit “Xhanfise Keko” që Giffoni Film Festival Albania ka nderuar krijuesit e filmit shqiptar në vite. Me emrin “Xhanfise Keko” që mban një nga rrugët kryesore në Tiranë ku çdo ditë mijra kalimtarë, në një kuptim, duke përshëndetur njeri tjetrin, përshëndeten edhe me të.

Personalisht, si drejtues i shtëpisë filmike SKA-NDAL që gëzon të drejtat e regjisores jashtë territorit të Shqipërisë prej më shumë se 10 vitesh, ndihem mirë. Dhe për këtë merita i takon në radhë të parë regjisores Xhanfise Keko e cila me krijimtarinë e larmishme dhe individualitetin artistik, në një kuptim, ma ka lehtësuar punën pasi ajo i hap vetë dyert e sinematekave apo festivaleve në Europë e më gjerë. Sa më sipër, mua më mbetet më shumë se ta prezantoj, të marr pjesë në këto evente në pamundësi të regjisores.

Dhe për ta mbyllur, unë jam i sigurt se regjisorja Xhanfise Keko ashtu si në Shqipëri, do të vazhdojë të zgjojë interes edhe në botë pasi filmat e saj janë të veçantë e të sinqertë. Mbi të gjitha të dashur sepse çdo kush nga ne shikon në to një pjesë të fëmijërisë së tij apo të saj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *